PROGRAMI I EDUKIMIT NË ÇERDHE – MODELE AKTIVITETESH NË SHTËPI PËR PRINDËRIT

PROGRAMI I MUAJIT MAJ
TEMA: FORMAT E ARGËTIMIT, SPORTET DHE LOJËRAT

Java 1

Tema: Format e Argëtimit dhe Sportet

Dita e hënë: Sporti dhe rëndësia e tij


JAVA 1 – E HËNË 🟢 Tema: Sporti dhe rëndësia e tij.

BISEDA DHE DEMOSTRIME

Edukatorja na tregon sa i rëndësishëm është sporti për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Sporti na bën më të fortë, më të lumtur, më të shëndetshëm. Më pas, edukatorja këndon dhe lëviz me ritëm sipas këngës “Duart nga e majta”. Në fund, ajo na argëton me lojën me topa shumëngjyrësh. Topat janë përgatitur me tullumbace të mbushura me pak ujë dhe qëllimi i lojës është të emërtojmë ngjyrën e topit dhe të bëjmë sa më shumë gola apo kosha.

Edukatorja flet për sportet kryesore: futbollin, basketbollin, volejbollin dhe tenisin, duke ilustruar me vizatime, si dhe na tregon për rëndësinë që sportet kanë për trupin tonë: na bëjnë të fortë dhe të kalitur. Për të na treguar sesi luhet loja e futbollit, edukatorja ka ndërtuar një fushë futbolli ne mjete të riciklueshme në shtëpi.

Rubrika e vjershës – Vjersha “Topi”

Edukatorja reciton vjershën “Topi” për fëmijët.

Rubrika e Përrallës – Përralla “Vrapim me pengesa”

Edukatorja lexon për fëmijët përrallën “Vrapim me pengesa”, e cila flet për një mëz të vogël, por trim që mësoj t’i kapërcejë pengesat. Përrallat na pasurojnë fjalorin, na zhvillojnë imagjinatën dhe na japin mësime të vyera.

Punë dore – Krijimi i topit me plastelinë.


Edukatorja na tregon si të realizojmë një top shumëngjyrësh me plastelinë.

ILUSTRIME ME FËMIJË

Rubrika: Punim me plastelinë – Mei 3-vjeçare na tregon sa thjesht dhe bukur mund ta bëjmë topin me plastelinë në shtëpi.

Rubrika: Loja me top – Emili 2 vjeç po luan basketboll në shtëpi. Ajo po bën sa më shumë kosha në koshin e improvizuar nga prindërit.

Rubrika: Ngjyrosja e topit – Emili 2 vjeç ngjyros vizatimin e topit që i ka përgatitur më parë mami. Me kënaqësi, ajo reciton edhe vjershën “Topi” bashkë me mamin.