PROGRAMI I EDUKIMIT NË ÇERDHE – MODELE AKTIVITETESH NË SHTËPI PËR PRINDËRIT

PROGRAMI I MUAJIT MAJ
TEMA: FORMAT E ARGËTIMIT, SPORTET DHE LOJËRAT

Java 1

Tema: Format e Argëtimit dhe Sportet

Dita e mërkurë: Muzika, veglat muzikore dhe loja e tenisit.

Rubrika – Biseda për muzikën dhe veglat muzikore.

Edukatorja u flet fëmijëve për muzikën, u shpjegon çfarë është dhe ku e gjejmë muzikën. Muzikën e gjejmë në natyrë te tingujt e ndryshëm që dëgjojmë. Muzikë shumë e bukur krijohet edhe nga njerëzit, nga muzikantët. Më pas, edukatorja tregon vizatimet e disa instrumenteve muzikore, si pianoja, violina, kitara, fyelli dhe daullja. Në fund, ajo ndan me ne disa vegla muzikore që mund t’i krijojmë edhe në shtëpi.

Kënga lëvizore “Me gëzim të dyja duart i përplas”.

Pas bisedës për muzikën, edukatorja këndon dhe imition lëvizjet e këngës aq të pëlqyer nga fëmijët.

Rubrika e Bisedës për grupmoshën 24-36 muajsh: Loja e tenisit.

Edukatorja tregon rregullat e lojës së tenisit. Më pas, demonstron hap pas hapi ndërtimin e fushës së tenisit. Ajo ka krijuar edhe dy balona me mjete të riciklueshme që mund t’i krijoni në shtëpi dhe na reciton një vjershë për balonën. Në fund, edukatorja tregon përrallën “Lepuri dhe Breshka”.

Rubrika e Vjershës

Edukatoret recitojnë për fëmijët dy vjersha për balonën.

Rubrika e Punimit me dorë – Instrumentet muzikore: Dajrja.

Edukatorja tregon hapat sesi të krijojmë një dajre me pjata plastike dhe me zilka në kushte shtëpie.

Punim me dorë: Kubi i tingujve.

Në këtë punim, edukatorja na tregon sesi të krijojmë një kub ku në secilën nga faqet shkruajmë komanda të ndryshme, si: Si bën macja, si bën qeni, si bën zogu, përplas duart, përplas këmbët, trokit te dera etj. Kjo lojë ndihmon fëmijët për të njohur dhe imituar tingujt.