Menaxhimi i frikës
Këshilla për menaxhimin e frikës dhe zemërimit tek fëmijët
Menaxhimi i frikës
Frikërat e para fillojnë tek fëmijët që në muajt të parë të jetës. Kur ishte më i vogël fëmija juaj nuk kishte frikë nga zhurmat e forta, sepse tani ai e kupton më mirë botën përreth. Ka një numër të madh burimesh që mund t’i shkaktojnë frikë si: fshesa me korrent, lehja e qenit, uji që i rrëshket në sy, hundë e gojë, kur bën banjë, ngritja e fëmijës në lartësi, etj.
- Disa hapa mbështetës për fëmijën kur tek ata shfaqet frika
- Pranojeni që fëmija juaj ka frikë nga fshesa me korrent, nga mix-eri, nga bulëzat e ujit kur bën banjë etj.
- Mos ja vendosni këto objekte shumë afër, kur ai ndihet i frikësuar, pasi zhurmat e tyre janë të fuqishme dhe në këtë rast fëmija do të ndihet i pasigurt.
- Mos e shpërfillni frikën e tij. Neve, si të rritur, mund të na duken absurde këto frikëra, por me shpërfilljen tonë ne vetëm sa do ta dëmtojmë besimin e fëmijës.
- Jepini siguri dhe mbështetje fëmijës, lërini t’i prekë kur ato nuk janë në funksion, p.sh. kur fshesa me korrent, mix-eri, tenxherja me presionnuk janë në punë apo kur vaska, ku fëmija, lahet është bosh.
- Kur ai luan me këto objekte mëson se si fshesa mund të ndizet, vaska mund të mbushet me ujë pa qenë ai brenda, ndoshta mund të hedhë edhe lodrat e tij në vaskë ose se si të shtypë butonin e mix-erit për të shtrydhur frutat e tij. Në këtë mënyrë ne mund të ndërtojmë besimin dhe aftësitë e tij përballuese.
Frika nga errrësira
Shumë fëmijë të vegjël kanë frikë nga errësira, kur duhet të flenë në dhomën e tyre,mbajnë dritën ndezur, duan të kenë praninë e prindërve për t’i zënë gjumi. Shumë prej tyre zgjohen me të qara natën, pasi shohin që në dhomën e tyre është errësirë e thellë e nuk kanë pranë asnjë prej prindërve.
Disa udhëzime për prindërit për reduktimin e frikës nga errësira:
- Kur ta vini të flejë fëmijën, lëreni abazhurin ndezur ose një dritë në dhomat e tjera të shtëpisë.
- Lëreni të marrë në krevat lodrën e tij të preferuar, pasi në këtë moshë shumë prej fëmijëve mbajnë një lodër pellushi pranë.
- Bëjini një banjë para gjumit, sepse ajo e relakson fëmijën.
- Moslejimi i shikimit të filmave të papërshtatshëm për moshën e tyre, qofshin këta edhe në programet e fëmijëve.
- Nuk duhet të nxisim në imagjinatën e tyre personazhe të frikshme si: shtriga, fantazmat etj.
Menaxhimi sjelljeve të zemërimit tek fëmijët
“Inatoset dhe përplas këmbët për hiçgjë….u lodha nuk mundem më”.
“Nuk dimë si të veprojmë pasi po nuk ia plotëson atë që kërkon përplas kokën diku”.
“Tek këndi i lodrave kërkon që të jetë ai i pari dhe i shtyn me zemërim dhe inat fëmijët e tjerë…nuk di si të sillem me të, i kam provuar të gjitha”.
Gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre sipas parametrave të çdo faze fëmija zbulon territore të reja prek objekte, rrëzon shtyn etj, prindërit e paralajmërojnë “jo mos shko aty!”, “Mos e prek!”, “Jo, nuk do ta blej lodrën!”, etj. Fëmijët impulsivë kërkojnë të eksplorojnë gjithshka që thyhet, digjet, fillojnë të shkulin flokët e prindërve të kafshojë, etj, duke sfiduar gjithçka. Kështu veprojnë edhe në rastet e mësipërme, kur zemërohen apo axhitohen.
Disa këshilla për menaxhimin e zemërimit:
- Eksploroni bashkë me fëmijën.
- Fëmija nuk duhet frenuar në mënyrë brutale.
- Mbani të njëjtat qëndrime në situata të ngjashme edhe pse ju duhet të duroni të qarat, përplasjen e këmbëve, kokës, hedhjen e lodrave apo objekteve të tjera nga ana e fëmijës.
- Në vend që t’i thoni “jo” apo “nuk” ose “mos”, zëvendësojeni me: “Ti e do këtë apo atë, por duhet ta bisedojmë “; “Ti do që të hipësh gjithmonë para shokëve tek rrëshkitësja, por do të të duhet të presësh”
- Ndihmojeni fëmijën ta përballojë frustrimin kur nuk mund ta ketë diç
- Flitini prerë, por jo agresivisht.
- Krijojini mundësi të kuptojë dhe të shprehë ndjenjat e tij në të tilla situata.
- Vendosni kufij të qartë. Ai duhet të kuptojë menjëherë kur nuk ka vepruar mirë.
- Jepini alternativa. Kur fëmija është qetësuar, rishihni se çfarë ka ndodhur.
- Shpërble sjelljen e mirë. Ndërkohë që i kushton më shumë kohë dhe vëmendje, kur fëmija sillet jo mirë, përpiqu të vëresh dhe shpërblesh edhe sjelljet pozitive.
- Mësojeni fëmijën tuaj të kërkojë të falur. Fëmijët duhet ta kuptojnë rëndësinë e të kërkuarit falje.