FËMIJËT DHE LOJA
Ky material është produkt i specialistëve të Sektorit të Kujdesit dhe Zhvillimit Psiko-Social në Qendrën Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të fëmijëve (QEZHEF), Bashkia Tiranë.
Ai është përgatitur për tu përdorur si material konsultues për klasat prindërore dhe takimet trajnuese dhe psiko-edukuese me stafet edukatore në çerdhet publike të Tiranës.
Loja mund të konsiderohet e barazvlefshme me fëmijë dhe fëmijëri. Jeta e një fëmije nuk mund të konceptohet pa lojën dhe imagjinatën. Pikërisht përmes këtyre dy proçeseve fëmija zhvillon bazat e njohjes dhe shpalos dijen e tij. Loja na tregon shumë rreth zhvillimit të një fëmije, temperamentit të tij, dinamikave familjare dhe mënyrës se si ai percepton botën që e rrethon. Loja ndihmon kujdestarët, prindërit, terapistët të krijojnë një marëdhënie besimi me fëmijën duke iu përshtatur gjuhës së tij. Mënyra se si fëmija manipulon objektet që në foshnjëri, mënyra se si një tre- vjeçar luan ” me sikur” na tregon shumë për zhvillimin e tij mendor. Duke vëzhguar fëmijët në çerdhe është vënë re se një pjesë e madhe e fëmijëve kanë interes ndaj mjeteve elektronike si celularët dhe shumë pak lojra tërheqin vëmendjen e tyre. Një numër i madh i tyre luajnë në mënyrë të vakët me lojra, i shikojnë ato, por nuk arrijnë të zhvillojnë një lojë imagjinare. A mund të thuhet se teknologjia tashmë ka arritur të “shuaj” imagjinatën? Ndoshta, por për fat të mirë ka ende fëmijë të cilët arrijnë të krijojnë situata , të luajnë “me sikur” dhe në disa raste të përfshijnë dhe fëmijët e tjerë në lojën e tyre. Nuk ka gjë më të bukur se sa të shikoni fëmijën tuaj të luaj, dhe të zbuloni më shumë rreth botës së tij. Ndonjëherë na ndodh të ulemi dhe të vëzhgojmë të gjithë fëmijët, i lutemi edukatores që të mos i pengojë ata, shohim që një fëmijë jo shumë aktiv, i cili nuk i thotë vjershat në grup papritur në mënyrë krejt natyrale po luan, është vendosur në rolin e babait, nënës, mësueses etj, po krijon një situatë, po i jep asaj një zhvillim dhe një zgjidhje inteligjente. Në lojë ai po tregon të gjitha ato që di, potencialin e tij dhe përmes saj po shpreh vetveten. Në këtë lojë ai do të jetë aty në botën e tij, i pa ndikuar nga të rriturit. Kjo është aftësia e një fëmije dhe e vetmja mënyrë për të mësuar. Duke luajtur me fëmijën tuaj do mësoni shumë se si ai e ka kaluar ditën, do i mësoni atij të përballet me situata të cilat ndoshta nuk i has në jetën e përditshme, do i prezantoni një botë të madhe në dhomën e tij të vogël. Çdo lodër është e rëndësishme dhe çdo formë loje duhet përdoruar. Loja me fëmijët tuaj duhet të jetë e larmishme, aktive, spontane dhe fëmija juaj duhet të jetë iniciuesi dhe drejtuesi i saj. Ju mund të jeni vëzhgues dhe nëse fëmija ju lejon pse jo pjesmarrës në lojën e tij.
FËMIJËT DHE LOJA