Përshtatja e fëmijës

PËRSHTATJA E FËMIJËS NË ÇERDHE

Këshilla për prindërit

SI TË SILLEM ME FËMIJËN PARA SE TA SJELL NË ÇERDHE

  • Flisni me fëmijën!
  • Edhe pse mund të jeni nervozë, të stresuar, të shqetësuar për nisjen e çerdhes, përpiquni të jeni gjithmonë pozitiv kur i flisni fëmijës për të.
  • Flitini fëmijës për gjërat e reja që do të bëjë atje. Shpjegojini që edhe ju keni qenë i/e vogël në çerdhe dhe jeni kënaqur.
  • Shpjegojini që ai nuk do të jetë vetëm dhe se do ketë persona që do kujdesen vazhdimisht për të.
  • Përmendni vazhdimisht emrat e edukatoreve të grupit ku ndodhet fëmija juaj dhe shpjegojini se si është fizikisht “teta edukatorja”.
  • Mos i flisni asnjëherë negativisht për edukatoret. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, sepse edukatorja është një figurë e rëndësishme.
  • Mos harroni asnjëherë t’i flisni fëmijës suaj, veçanërisht fëmijës 0-18 muajsh. Edhe pse ai ende nuk mund të flasë me ju, mund t’ju kuptojë shumë mirë dhe do të reagojë në mënyra të ndryshme, mënyra që ju mund t’i kuptoni nëse e vëzhgoni fëmijën tuaj.
  • Bëni kujdes me emocionet tuaja. Fëmija mund ta ndjejë fare qartë edhe “pa fjalë”, ankthin që ju përjetoni. Në qoftë se ju nuk ndiheni të sigurt për çerdhen ku e çoni, kini parasysh se edhe fëmija do të ketë të njëjtin reagim.

ÇFARË TË BËJ DITËT E PARA?

Disa fëmijë e kanë të vështirë që të përshtaten dhe të qetësohen, të tjerë mund ta kenë të vështirë edhe pas disa kohe. Mos u shqetësoni dhe mos mallkoni veten. Pranoni faktin që fëmijët janë individualë dhe unikë, por në fund do të përshtaten.

  • Merr kohë. Fëmija nuk është i përgatitur që ju ta lini dhe të largoheni. Duhet të rrini aty së bashku me të.
  • Lëreni për pak kohë ditën e para dhe shtojeni kohën ditën tjetër e kështu me radhë duke ndjekur ecurinë e përshtatjes së fëmijëve tuaj.
  • Mund të ndjeheni edhe ju në ankth dhe stres po aq sa fëmijët tuaj, por përpiquni që të jeni pozitiv dhe të gëzueshëm. Fëmijët i ndjejnë emocionet tuaja dhe kjo mund t’i përkeqësojë gjërat.
  • I thoni fëmijës tuaj se kur do të vini. Mos e gënjeni, p.sh “Mami do shkoj pak dhe erdhi”. Shpjegojani qartë se kur do të vini duke e lidhur gjithmonë me një aktivitet të fëmijës në çerdhe, p.sh. “Pasi të kesh ngrënë drekën, pasi të kesh mbaruar lojën, pas gjumit, mami ose babi do të vij të marr”.
  • Nëse fëmija juaj qan me dënesë dhe nuk do t’ ju lërë që të ikni, kërkoni këshilla nga edukatoret a psikologu. Lini një numër telefoni për çdo rast.
  • Pasi i keni thënë “Mirupafshim” fëmijës tuaj, mos u shqetësoni më. Përpiquni që përshëndetja e ikjes të jetë e shkurtër. Mos zgjasni më kokën tek xhami. Mos u riktheni. Kjo do t’i bëjë keq fëmijës suaj. Vetëm pasi prindërit largohen me të vërtetë, fëmija është gati të pranoj dhe të filloj një eksperiencë tjetër për jetën e tij, shoqërimin me fëmijët.
  • Angazhohuni me fëmijën në një aktivitet. Lëreni të luajë pa u larguar nga dhoma. Ftoni edhe fëmijë të tjerë të luajnë bashkë me ju.
  • Flitini fëmijës për ambienti, dhomën ku do rrijë. Bëje që të ndihet mirë dhe diskutoni vetëm për gjërat pozitive apo të kënaqshme.
  • Përpiquni që të evitoni ndryshime të tjera të mëdha apo tensione familjare në jetën e fëmijës. Ruani rutinën në shtëpi.
  • Bëni një album special për fëmijën me foto të familjes apo me të tjera gjëra të rëndësishme për të dhe jepjani me vete. Lejojeni të marrë me vete objekte vetjake apo nga shtëpia që i ka për zemër.
  • Mos harroni asnjëherë që çdo fëmijë është i veçantë dhe i menaxhon ndryshimet sipas mënyrës së vet, ndryshe nga të tjerët. Disa prej reaksioneve të përkohshme mund të jenë të qarat, dhimbjet e stomakut, dhimbjet e kokës, probleme të gjumit. Kujdesuni me dashuri dhe respekt. Kujtoni që këto reagime janë të përkohshme.
  • Mos krijoni periudha shkëputje të mëdha nga çerdhja; mos e sillni disa ditë dhe disa të tjera jo. Fëmija do të çakordohet dhe përshtatja do të jetë e vështirë për të.

SI TË SILLEMI ME FËMIJËN KUR E MARRIM NGA ÇERDHJA?

Kur prindërit vijnë të marrin fëmijën në çerdhe, hidhen mbi të si ndonjë panterë duke e mbytur me të puthura. Kështu fëmija çoroditet.

Marrëdhënia nënë-fëmijë nuk ndërtohet vetëm me të puthura dhe përkëdhelje. Përdorni fjalën në çdo çast me të.

Prindi duhet t’i flas fëmijës me zë përkëdhelës, ta vesh me ngadalë e qetësi duke e pyetur për ditën e tij në çerdhe, i folur për shtëpinë, motrat e vëllezërit.